Connect with us

Shkencë

Zbulohet jetë mikrobike në planetin Mars

Published

on

Zbulohet jetë mikrobike në planetin e Marsit

Prezenca e metanit në atmosferën e Marsit ishte konfirmuar nga një analizë e re e të dhënave nga skafi Evropian Mars Express, sipas deklaratave të shkencëtarëve. Në deklaratat e tyre ata kishin nënvizuar se prezenca e këtij gazi mund të jetë një shenjë për ekzistencën e mikroorganizmave në këtë planet.

Mars Express, i cili gjendet në një orbitë rreth planetit të kuq kishte zbuluar gjurmët e metanit gjatë fundit të vitit 2004. Kjo ishte arritur falë spektrografit infra të kuqe PFS. Ky rezultat nuk kishte arritur të bindte ekspertët, për arsye teknike.

Në qershor të vitit 2018, NASA kishte deklaruar se roboti Curiosity kishte zbuluar metan në atmosferën e Marsit me datë 15 qershor 2013. Sipas saj ky zbulim ishte bërë në afërsi të kraterit Gale. Megjithatë, rezultatet kishin shkaktuar përsëri pikëpyetje pasi disa prej studiuesve mendonin se metani vinte nga vetë roveri.

Ndërkohë, një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh kishte arritur të përmirësonte cilësinë e të dhënave nga spektrografi i skafit Mars Express. Shkencëtarët deklaruan se kishin zhvilluar një qasje të re për zgjedhjen, manipulimin dhe grumbullimin e të dhënave. Kjo teknikë zvogëlonte ndjeshëm paqartësitë në lidhje me matjet PFS.

Mars Express kishte zbuluar përsëri gazra në kraterin Gale

Pak pas uljes së robotit Curiosity në kraterin Gale, gjatë vitit 2012, shkencëtarët kishin vendosur të zhvillonin një observim të kujdesshëm në atmosferë. Njëri prej tyre kishte deklaruar se në këtë zonë, spektrografi i skafit Mars Express kishte zbuluar përsëri një emetim të metanit në krater.

Zbulimi i metanit (CH4) në Mars konsiderohet një ngjarje shumë e rëndësishme për shkencëtarët. Kjo mund të ishte një shenjë treguese për ekzistencën e jetës mikrobike. Nga ana tjetër, metani mund të jetë thjeshtë rezultat i aktiviteteve gjeokimike të cilat nuk kanë asnjë lidhje me prezencën e jetës në këtë planet.

Zbulimi i befasishëm ishte kur ekipi i Marco Giuranna -s besonte se kishte zbuluar burimin e metanit, në një çarje në lindje të kraterit Gale. «Është e mahnitshme pasi këtë nuk e prisnim», kishte deklaruar shkencëtari Italian me entuziazëm.  

«Zbuluam çarje tektonike që mund të shtrihen nën një zonë të mbuluar nga një shtresë e hollë akulli. Është e mundshme që metani të jetë i bllokuar nën akull dhe të çlirohet aksidentalisht kur krijohen çarjet», kishte deklaruar Giuseppe Etiope. Ai është pjesëtar i Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë në Romë.


Më të lexuarat